Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së dielës në Itali, ku një shtetas shqiptar ka kërcënuar se do t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes brenda banesës së tij.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 48-vjeçari dyshohet se ndërmori këtë veprim pas një konflikti në familje. Ai kishte spërkatur ambientet e apartamentit me lëndë djegëse, duke krijuar rrezik serioz për veten dhe banorët përreth.
Ngjarja u raportua rreth orës 22:30 në zonën e Corso Vercelli. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe karabinierët, të cilët rrethuan zonën dhe nisën përpjekjet për të shmangur një tragjedi.
Për disa orë me radhë, negociatorët e policisë zhvilluan bisedime me 48-vjeçarin, duke u përpjekur ta bindnin të hiqte dorë nga veprimi ekstrem. Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, autoritetet arritën ta qetësonin dhe ta nxirrnin të sigurt nga banesa.
Më pas shqiptari u dërgua në spital, ku iu nënshtrua vlerësimeve dhe trajtimit të nevojshëm mjekësor nga specialistët.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe faktorët që mund ta kenë shtyrë 48-vjeçarin drejt këtij akti të rëndë.
