Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën këtë paradite, ku një 58-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit me mjet prerës nga bashkëshorti i saj.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Zogut të Zi, në rrugën “Panorama”, rreth orës 10:20. Sipas informacioneve paraprake të Policisë, 68-vjeçari Hysni Patushi dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij, Lumturi Patushi, pas një konflikti të ndodhur në banesë.
58-vjeçarja u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Pas ngjarjes, 68-vjeçari është larguar nga vendi i krimit dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës.
Forcat e rendit vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
