Një konflikt për një sipërfaqe toke në rrugën e Elbasanit ka përfunduar me katër persona në pranga dhe një tjetër në kërkim.
Policia e Tiranës njoftoi se ngjarja ka ndodhur për çështje pronësie, ku pesë shtetas nga Nikla kanë shkuar dhe kanë kërcënuar dy persona, L.H. dhe A.C., duke pretenduar se prona që ata zotërojnë që prej vitit 2021 është në të vërtetë e tyre.
Të arrestuarit janë:
Endri Allushi
Erald Basha
Emiljano Topi
Ardian Shera
Ndërsa është shpallur në kërkim: Ervin Topi
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe legjitimitetin e pretendimeve për pronësinë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pretendimi”.
Dhunuan dhe kanosën 2 bashkëpronarët e një sipërfaqe toke në Rrugën e Elbasanit, me pretendimin se kjo pronë ishte e njërit prej tyre, arrestohen 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të shtetasve L. H. dhe A. C., se 5 shtetas i kishin dhunuar dhe kanosur, pasi njëri prej tyre pretendon pronësinë mbi sipërfaqen e tokës që kallëzuesit deklarojnë se e kanë blerë në vitin 2021, nga 1 shtetas tjetër, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Pretendimi”.
Gjatë operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. A., 28 vjeç, E. B., 31 vjeç, E. T., 42 vjeç dhe A. Sh., 44 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi që pretendon pronësinë mbi sipërfaqen e tokës, E. T., 37 vjeç, të pestë banues në fshatin Nikël, Krujë, shokë me njëri-tjetrin. Punohet intensivisht për kapjen e 37-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
