Parlamenti i Shqipërisë ka nisur punimet në seancën e dytë plenare pas zgjedhjeve të 11 majit, duke u mbledhur sërish sot në orën 17:00 për të vijuar me betimin e deputetëve të rinj.
Nga 140 deputetët e zgjedhur, 138 janë betuar, ndërsa dy prej tyre kanë hequr dorë nga mandati përpara se të uleshin në Kuvend. Bëhet fjalë për kryetarin e PSD-së, Tom Doshi, dhe deputeten Sabina Jorgo.
Sipas burimeve të Top Channel, Osman Teta dhe Meri Markiçi do të jenë deputetët që do t’i zëvendësojnë. Teta ishte renditur i treti në listën e mbyllur të partisë, ndërsa Markiçi ishte gruaja më e votuar me 614 vota në qarkun e saj, duke fituar të drejtën për të marrë mandatin.
Dorëheqja e Doshit dhe Jorgos u bë publike nga Milva Ekonomi, e cila lexoi raportin zyrtar të Komisionit të Mandateve gjatë seancës plenare. Kjo lëvizje shënon ndryshimet e para në përbërjen e re parlamentare që sapo ka nisur punën për mandatin e ri legjislativ.