Tonin Vocaj rezulton kandidati më i vlerësuar në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Policia e Shtetit, sipas raportimeve të fundit nga procesi i përzgjedhjes.
Burimet bëjnë me dije se Vocaj është renditur i pari për nga pikët, ndërsa pas tij vjen Lorenc Panganika, i cili gjithashtu konsiderohet një pretendent i fortë për postin. Lista me tre kandidatët më të vlerësuar i është dorëzuar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, kryeministrit Edi Rama, i cili do të marrë vendimin përfundimtar.
Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të policisë u hap pas largimit të Ilir Proda më 1 mars dhe ka hyrë tashmë në fazën vendimtare. Pas filtrimit të aplikimeve, 14 kandidatë iu nënshtruan testimit final dhe intervistave në Ministrinë e Brendshme.
Komisioni i posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të ministrisë dhe institucioneve të sigurisë, ka për detyrë të pikëzojë kandidatët dhe t’i propozojë ministrit listën përfundimtare. Megjithatë, vendimi final i përket këtij të fundit, i cili më pas ia paraqet emrin e përzgjedhur Këshillit të Ministrave.
Procesi është ndjekur me interes edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa përzgjedhja e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit konsiderohet një moment kyç për reformimin dhe forcimin e rendit dhe sigurisë në vend.
