Një tjetër episod i tensionuar është shënuar në Kuvend, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka kërkuar përjashtimin e Taulant Ballës nga seanca.

Topalli e akuzoi Ballën për intimidim ndaj deputeteve të opozitës dhe për provokim, duke iu referuar edhe kërkesës së tij për një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të 2 prillit në Shkodër.

Duke iu drejtuar kryesuesit të seancës, ajo riktheu një nga shprehjet e saj të njohura: “Kur një burrë provokon mbi të vdekurit dhe merret me gra, ka vetëm një shprehje… Merre zoti kryetar kape për zhelesh e nxirre jashtë”.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, reagoi me ironi ndaj deklaratës së saj, duke thënë: “S’ma merrte mendja se do vinte dita të përdornim togfjalëshin ‘kape për zhelesh’, mendova se i kishim thënë lamtumirë”.

Ngjarja vjen në vijim të një seance të mbushur me tensione, debate të forta dhe përplasje të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.