Një debat i tensionuar u zhvillua në studio, ku i riu u përplas me të ftuarit për mënyrën se si diskutohet politika dhe përgjegjësia e shqiptarëve për gjendjen e vendit.

Ai kritikoi atë që e cilësoi si “politikë të vjetër”, duke akuzuar bashkëbiseduesit se flasin me mentalitete të së shkuarës, ndërsa debati u përqendrua edhe te korrupsioni dhe përgjegjësia e qytetarëve.

Pjesë nga debati:

Franci: Tani unë distancohem. I dëgjova, kam gjysmë ore. Distancohem nga gjithë këta. Kjo është politika e vjetër që flet këtu, zemrat e reja. E lë.

Do thonë, flasim për Francën, ia futin kohën e qepës, kohën e komunizmit… Me kompetenca për ato vite flet vetëm gjyshi im, nëna ime, gjithë ata që janë të asaj periudhe. Flasim për ’97-ën. ’97-ës s’ka qenë [e paqartë]. Më flasin për 2013-ën. Për 2013-ën s’ka ndodhur gjë. Lindën, u rritën…

Adelajda: Po nuk e dimë historinë, nuk bëjmë dot…

Franci: Lindën, u rritën dhe nuk bëjnë prapë ndryshimin. Duan ndryshimin.

Adelajda: A e meritojnë shqiptarët këtë gjendje ku janë?

Franci: Po, Grida, e meritojnë. E meritojnë shqiptarët.

Adelajda: E meritojnë shqiptarët?

Franci: E meritojnë shqiptarët.

Adelajda: Pse e meritojnë shqiptarët?

Franci: Sepse vemi në spital edhe ato 5 mijë lekë ia fusim vetë në xhep mjekut. E meritojnë shqiptarët se shkojmë, futemi në autobus, edhe kondicioner s’ka. Flas kur ishte verë. I fikin vetë. Pra, prapë shqiptarët nuk bëjnë asgjë, nuk ngrihet asnjëri.

Adelajda: Kush është arsyeja që ia afron 5 mijë lekë shqiptari doktorit? Kush është arsyeja?

Franci: Po bën monolog me veten.

Adelajda: Bën debat apo do bësh monolog?

Franci: E vetmja gjë që bëjnë është që të ankohen. Vetëm të ankohen.

Adelajda: Jo, jo. A mund të më kthesh një përgjigje, të lutem?

Franci: Nuk është çfarë bëra unë, çfarë bëjmë ne. Ndryshimin e bëjmë të gjithë ne.

Adelajda: Po. Kulturën e korrupsionit kush e ka shtyrë? E ka shtyrë kjo qeveri.

Franci: Nuk e kemi shtyrë…

Adelajda: Gjithmonë urdhrat na vijnë nga lart. Edhe kultura na vjen nga lart. Dhe në qoftë se një popull shikon që zëvendëskryeministrja e atij vendi akuzohet për vepra penale si korrupsioni, në vlera të larta, me miliona euro, normal që dhe ai popull nuk do të ndihet aq keq në qoftë se bën atë vepër në miniaturë.

Franci: Të lutem, pse flet me kaq shumë kompetenca?

Adelajda: Po ti pse flet me kaq kompetenca? Ti po bën monolog me veten.

Franci: Ti thjesht po thua atë çfarë të kanë mësuar. Ti po thua skriptin. Ti nuk je vetja.

Top Channel