Igli TotozaniApeli


Masa më të ashpra për ata që guxojnë të ngrenë dorë kundër fëmijëve të pambrojtur


Rrahja mizore e 3-vjeçarit në shtëpinë e foshnjës në Durrës është dënuar edhe nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili dënon dhunën e përsëritur fizike dhe psikologjike që ushtrohet ndaj të miturve në shtëpinë e fëmijëve. “Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me përsëritjen e rasteve të dhunës nga kujdestarët në shtëpitë e fëmijëve. Avokati i Popullit ka ngritur një grup të posaçëm ekspertësh për të monitoruar dhe verifikuar kushtet e trajtimit psikologjik dhe fizik të të miturve në çdo shtëpi fëmije në të gjithë vendin. Totozani fton edhe shoqërinë civile t’i bashkohet kësaj iniciative, nëpërmjet krijimit të rrjeteve të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nëpër çdo njësi administrative”, thuhet në njoftimin e institucionit të AP-së. Sipas tij, dhuna ndaj fëmijëve është akt i patolerueshëm, i dënueshëm me ligj si vepër penale dhe një akt çnjerëzor, formë dhune që bëhet edhe më e rëndë kur ushtrues të saj janë edukatorët dhe kujdestarët e tyre. “Avokati i Popullit kërkon marrjen e masave më të ashpra ndëshkuese për të gjithë ata punonjës të qendrave rezidenciale, të cilët guxojnë të ngrenë dorë kundër fëmijëve të pambrojtur, si dhe marrjen e masave efikase për parandalimin e këtyre akteve. Gjithashtu, Avokati i Popullit konstaton si problematikë dobësimin e mekanizmave mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, pjesë e strukturave të pushtetit vendor, përmes ndryshimit të vazhdueshëm të stafeve të trajnuara me fondet e taksapaguesve shqiptarë dhe organizmave ndërkombëtarë”, apelon Totozani. Ai thekson se reforma territoriale dhe decentralizimi duhet të shoqërohen me forcimin e këtyre mekanizmave mbrojtës, të ngritjes dhe funksionimit të tyre në bashkitë dhe njësitë e sapokrijuara, pasi stabiliteti afatgjatë i stafeve të këtyre mekanizmave është kusht për konsolidimin e tyre. “Punonjësit e institucionit të Avokatit të Popullit ndodhen në shtëpinë e fëmijës në Durrës, pas dhunës së ushtruar nga kujdestarja ndaj një fëmije trevjeçar. Avokati i Popullit shpreh një falënderim të posaçëm për median, e cila në shumë raste po ushtron funksionet e munguara të strukturave shtetërore, madje me më shumë përkushtim dhe angazhim në denoncimin e këtyre rasteve”, përfundon deklarata e tij.