Avokati i Popullit, Igli Totozani, u dërgon letër zyrtare të gjitha njësive të qeverisjes vendore në vend, me qëllim marrjen e masave urgjente për strehimin e kategorive në nevojë, gjatë periudhës së dimrit. Totozani u kërkon drejtuesve lokalë të përshtasin ambientet për strehimin dhe ushqimin e të pastrehëve dhe romëve. “Janë dërguar letra në të gjitha njësitë e pushtetit vendor, për dijeni të prefektëve, në mënyrë që të marrin masat e nevojshme, zgjidhje qoftë edhe të përkohshme për dimrin, për vendstrehime emergjente për njerëz në nevojë, për romët, të pastrehët, endacakët”, tha Avokati i Popullit. Ai theksoi se ky është një nga prioritetet e këtij institucioni, për periudhën e dimrit, duke qenë se faktet tregojnë se vitin e kaluar u regjistruan humbje jete nga i ftohti. Totozani sugjeron që ambientet publike si shkolla, palestra apo magazina të përshtaten, në shërbim të këtyre kategorive personash.