Është shtyrë seanca paraprake për dosjen “Toyota Yaris” ku i përfshirë është ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
SPAK pak ditë më parë njoftoi mbylljen e hetimeve për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i arrestuar për korrupsion dhe ushtrim ndikimi dhe tashmë ka dorëzuar kërkesë në gjykatë për kalimin e dosjes për gjykim.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar të njëjtat akuza përmes avokatit mbrojtës edhe ish-oficeres së krimeve të rënda Erjona Daupaj, e cila ndodhet në kërkim. Akuza iu komunikua edhe avokatit Radovan Çela për korrupsion aktiv. Aurel Zarka u arrestua në Korrik të këtij viti pas transkiptimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC dhe EncroChat.
GJKKO më 31 korrik 2024 la në burg-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, pasi akuzohet për ndërhyrje të paligjshme dhe ndikim te gjyqtarët e prokurorët për 8 çështje gjyqësore. Bashkë me Zarkën u lëshuan tre urdhërarreste për magjistraten Erjona Dautaj, avokatin Radovan Çela si dhe shtetasin Astrit Vladi, të cilët nuk u ekzekutuan pasi të tre ndodhen jashtë shtetit.
Sipas SPAK, Zarka merrte para për të ndikuar te prokurorët dhe gjyqtarët e çështjeve penale. Kryeprokurori ka ndikuar në katër raste për lehtësim të hetimeve të dosjes “Toyota Yaris”, që nga një hetim për grup kriminal dhe pastrim parash prej 3.4 milionë euro u mbyll me një të dënuar, për mosdeklarim të të ardhurave në kufi.




