Një përplasje verbale është regjistruar në kryeqytet, ku disa protestues kanë konfrontuar Avokatin e Popullit, Endri Shabani, gjatë kohës që ai ndodhej në ambientet e një lokali.
Qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Shabanit, duke e akuzuar se nuk ka mbajtur qëndrimin që ata prisnin nga institucioni i Avokatit të Popullit për çështjet që lidhen me të drejtat e protestuesve.
Situata është shoqëruar me tone të larta dhe akuza të drejtpërdrejta.
“Tradhtar”, “i shitur” dhe “turp për ty” kanë qenë disa nga thirrjet që protestuesit i kanë drejtuar Shabanit gjatë përballjes.
Përplasja duket se lidhet me pakënaqësitë e krijuara nga mënyra se si protestuesit e perceptojnë reagimin e institucionit ndaj veprimeve të policisë dhe problematikave të ngritura prej tyre.
Njëri prej qytetarëve të përfshirë në incident ka reaguar më pas edhe në rrjetet sociale, ku ka shprehur zhgënjimin e tij personal ndaj Avokatit të Popullit.
Ai pretendon se më parë e kishte mbështetur dhe kishte pasur besim tek Endri Shabani, por se qëndrimi i tij ka ndryshuar për shkak të mungesës së reagimit që, sipas protestuesit, ka karakterizuar institucionin gjatë muajve të fundit.
“Ku ishe ti kur më thirri policia? Ku je futur këto gjashtë muaj?”, shkruan ai në mesazhin e publikuar.
