Protestuesit janë mbledhur sërish mbrëmjen e kësaj të diele para godinës së Kuvendit në Tiranë, duke vijuar protestën e tyre kundër qeverisë pas tensioneve të regjistruara më herët gjatë ditës.
Të pranishmit kanë brohoritur slogane si “Tradhtarë, këlyshë komunistësh” dhe “Polici e krimit”, ndërsa kanë qëndruar për disa minuta përpara Parlamentit nën masa të shtuara sigurie nga forcat e policisë.
Rikthimi i protestuesve vjen pasi gjatë paradites para Kuvendit u shënuan incidente dhe përplasje mes demonstruesve dhe uniformave blu. Si pasojë e tensioneve, gjashtë persona u shoqëruan në Komisariatin nr. 1 në Tiranë, por u lanë të lirë disa orë më vonë pas përfundimit të procedurave policore.
Pas marshimit të zhvilluar para Kryeministrisë, protestuesit u rikthyen edhe një herë te Kuvendi, duke përsëritur thirrjet dhe akuzat ndaj qeverisë dhe Policisë së Shtetit.
