Një trafik i rënduar është shënuar këtë të shtunë në aksin Tiranë–Elbasan, ku fluksi i automjeteve ka qenë shumë më i lartë se zakonisht.

Qarkullimi është ngadalësuar që nga Tuneli i Krrabës deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit, ndërsa situata është përkeqësuar në hyrje të Elbasanit, ku mjetet kanë lëvizur me vështirësi të mëdha dhe në disa momente trafiku është paralizuar pothuajse plotësisht.

Patrullat e Policisë Rrugore të vendosura përgjatë segmenteve më problematike raportojnë se kolonat e automjeteve lëvizin me ritëm minimal, ndërsa herë pas here qarkullimi është bllokuar për disa minuta.

Për të menaxhuar situatën, policia ka shtuar prezencën në terren dhe ka bërë apel që drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin parakalimet e rrezikshme dhe të tregojnë durim, pasi manovrat e gabuara mund ta rëndojnë akoma më shumë trafikun.