Sezoni turistik ka sjellë në Durrës jo vetëm mijëra pushues, por edhe trafikun e rënduar. Fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë vështirësi në lëvizje, veçanërisht në disa prej akseve kryesore të qytetit dhe rrugët drejt plazheve.
Kolonat dhe pritjet zgjasin sidomos në oraret e pikut, ndërsa trafiku i rënduar shoqërohet edhe me ndotje akustike e të ajrit, duke u kthyer në një shqetësim për të gjithë.
Menaxhimi i qarkullimit dhe shmangia e bllokimeve mbeten një sfidë për Policinë Rrugore. Për përballimin e fluksit, në Durrës janë angazhuar edhe forca të shtuara nga Tirana.
Trafiku dhe temperaturat e larta shpesh krijojnë edhe tensione në rrugë. Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.
Në kulmin e sezonit, trafiku mbetet një nga problemet e përditshme në Durrës. Për qytetarët dhe pushuesit, kolonat nën temperaturat e larta nënkuptojnë më shumë kohë në rrugë dhe më pak kohë për të shijuar destinacionin.
