Autoritetet e Republikës Domenikane kanë vënë në pranga shtetasin shqiptar Vilson Pepa, i njohur edhe me pseudonimin Soni, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Arrestimi i Pepës, 40 vjeç, u krye në Santo Domingo nën masa të rrepta sigurie, ku ai u shoqërua nga forcat speciale me pranga në duar e këmbë, si dhe me jelek antiplumb dhe helmetë mbrojtëse.

Gjatë kontrollit, policia dominikane i gjeti atij një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane, pesë telefona të koduar si dhe një shumë parash në dorë. Autoritetet lokale kanë konfirmuar se Pepa është i përfshirë në një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, nga e cila 600 kg u sekuestruan në Roterdam, Holandë, në nëntor të vitit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjera në të njëjtin qytet.

Sipas hetimeve, ngarkesa me kokainë ishte nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion portin e Antwerpit në Belgjikë. Lënda narkotike ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda ngarkesave legale, të tilla si kuti sapuni, bombola boje dhe materiale ndërtimi, duke përdorur marka tregtare për të maskuar aktivitetin e paligjshëm.

Vilson Pepa konsiderohet si pjesë e një rrjeti të fuqishëm kriminal, i drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, grup që u godit nga SPAK në fillim të muajit gusht. Sipas strukturës antikorrupsion, ky grup kishte ndërtuar një zinxhir të plotë të trafikut të kokainës, duke përdorur komunikime të enkriptuara përmes platformës SkyECC.

Grupi kishte tentuar të trafikonte rreth 17 ton kokainë drejt porteve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për ekstradimin e Pepës dhe hetime të mëtejshme në lidhje me rrjetin kriminal.