Një 58-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për trafik droge është arrestuar nga policia në qytetin e Beratit. Fatmir Isollari, i njohur edhe me emrin Fatmir Cenka, ishte dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Apelit në Firence me 7 vjet burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 2002-2003, kjo organizatë trafikoi 20 kilogramë kokainë nga Shqipëria në Firence, duke përfituar shuma të mëdha parash nga veprimtaria kriminale.
Arrestimi i Isollarit përbën një tjetër sukses të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për goditjen e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
NJOFTIMI:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 23”. I dënuar nga autoritetet italiane, me 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Berat dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari.
Gjatë periudhës 2002-2003, kjo organizatë kriminale trafikoi 20 kg kokainë nga Shqipëria në Firence.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera pas koordinimit të informacioneve me homologët e Policisë italiane, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 23”, u lokalizua në qytetin e Beratit, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
Fatmir Isollari alias Fatmir Cenka, 58 vjeç, banues në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit e Firences, Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike”, njofton policia.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 58-vjeçarit në Itali.
