Gjykata: Tatjana Nacu të shkojë në vendlindje. Kishte krijuar një jetë të re në Shqipëri


Sokol Çobo


moldavjaNjë shtetase moldave, e kërkuar për trafik të qenieve njerëzore dhe e arrestuar në Tiranë në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar, është ekstraduar në vendlindje, pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës. Tatjana Nacu ishte njohur me një shqiptar nga Kosova dhe pasi e kishte mashtruar se ishte nga Maqedonia, ishin martuar, duke krijuar një jetë të re, madje kishin vendosur të jetonin në Tiranë prej disa ditësh. Ata kishin edhe një fëmijë 6 vjeç dhe në momentin e arrestimit, bashkëshorti i saj, pasi është njohur me një urdhër arresti nga Moldavia, ka këmbëngulur se personi me të cilin bashkëjetonte është nga Maqedonia. Por, duke parë të gjitha dokumentet, ai është bindur më së fundi që nëna e fëmijës së tij ishte moldave, madje e kërkuar në vendlindje për trafik të qenieve njerëzore. Dosja e saj ka shkuar në gjykatë dhe pas shqyrtimit, gjyqtarja Fatime Deçolli vendosi ekstradimin e saj, duke pranuar kërkesën e Moldavisë.


 


Vendimi i gjykatës


Sipas vendimit të gjykatës, një kopje të të cilit e disponon “Shqip”, rezulton se më 30 nëntor 2011, Policia e Tiranës ka bërë arrestimin e përkohshëm të Tatjana Nacu. “Rezulton se kjo shtetase është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Chisinau, Moldavi, me vendimin e saj, më datë 7 nëntor 2007, ka dhënë masën e arrestit me burg për veprën penale të ‘trafikimit të qenieve njerëzore’. Dënimi maksimal për këtë vepër, po sipas këtij legjislacioni, është 15 vjet. Nga shqyrtimi gjyqësor rezulton se në Prokurorinë e Përgjithshme ka ardhur një kërkesë për ekstradimin e saj në vendlindje. Kërkesa është bërë më 1 janar të këtij viti, ku drejtësia moldave ka sjellë aktin e procedimit ndaj shtetases Tatjana Nacu, i prokurorit Aurel Grosu”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas saj, për këtë çështje është interesuar edhe Prokurori i Përgjithshëm i Moldavisë, Igor Serbinov, duke sjellë në Shqipëri të gjithë dokumentacionin, që nga shkresa e tij, dosja e prokurorisë dhe vendimet e gjykatës. “Nga shqyrtimi i akteve të kërkesës së prokurorisë në lidhje me ekstradimin e shtetases moldave Tatjana Nacu, gjykata çmon se kërkesa plotëson të gjitha kushtet e kriteret e vendosura në ligjin procedural-penal të Republikës së Shqipërisë, Konventës Europiane të Ekstradimit, nënshkruar në Paris më 13 Dhjetor 1957 dhe për këtë arsye, duhet pranuar”, thuhet në vendim.


 


Historia


E shumëkërkuara kishte lënë Moldavinë para shtatë vitesh dhe kishte shkuar në Kosovë. Aty ishte njohur me burrin e saj, duke iu prezantuar si maqedonase. Ndërsa një vit më vonë, të dy bashkë kanë zgjedhur për të jetuar në Tiranë, ku kanë lindur edhe një fëmijë. Ata rrinin në një shtëpi private me qira, ku banonte edhe një i moshuar, sipas Ministrisë së Jashtme. Lokalizimi dhe arrestimi i saj ka qenë i vështirë, pasi 32-vjeçarja shpesh ndërronte identitetet e saj dhe nuk rezultonte e regjistruar në vendin tonë. Ajo dyshohet se ishte pjesë e një grupi që merrej me organizimin e trafikimit të qenieve njerëzore nga Moldavia në vendet e Europës Perëndimore. Sipas të dhënave, sapo ajo ka kuptuar se po kërkohej nga autoritetet moldave është arratisur drejt Kosovës, dhe më pas drejt Shqipërisë, në mënyrë që të humbë të gjitha gjurmët. Mësohet se Naçu jetonte në Tiranë që prej vitit 2006, së bashku me bashkëshortin e saj nga Kosova, i identifikuar si S.B. Nga bashkëjetesa ata kanë edhe një fëmijë 6 vjeç. Asnjë prej tyre nuk rezulton që të jetë i punësuar në kryeqytet. Prej vitesh, ata jetonin afër Komisariatit Nr. 1, në një shtëpi private. Në momentin e arrestimit, në polici u shoqërua edhe bashkëshorti i saj, që pretendoi se nuk kishte dijeni për urdhër-arrestin. Madje, ai ka thënë se ajo nuk i kishte thënë që ishte me origjinë nga Moldavia, por nga Maqedonia.


 


 


Pretendimi


Moldavja në polici: Jam viktimë e prostitucionit


Pas shoqërimit në polici, ajo ka pretenduar se është vetë viktimë e prostitucionit. Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka dhënë sqarimet e saj në lidhje me akuzën. “Unë jam viktimë e trafikut të prostitucionit. Kur isha me banim në Moldavi, disa persona më morën dhe më shfrytëzuan për prostitucion. Kjo histori është përsëritur disa herë me mua. Ata më kanë shitur nga një trafikant te tjetri. Ndërsa bashkëshortin e kam njohur në Kosovë. U njohëm dhe krijuam një lidhje dashurie. Qysh prej vitit 2006, vendosëm që jetën ta ndërtonim në Shqipëri”, është shprehur moldavja.