Një rast i dyshuar i trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar është goditur në Tiranë.
Mësohet se një shtetase amerikane 48 vjeçe me iniciale Sh.I, e cila banonte në vendin tonë, kishte porositur një pako të ardhur nga SHBA. Gjatë kontrollit të saj u konstatuan karamele me lëndë të dyshuar narkotike canabis sativa në formë xhelatine, me një peshë totale prej rreth 572 gramësh. Fillimisht rasti është zbuluar në doganë dhe më pas, për të identifikuar marrësin e dërgesës, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar. Një agjent i Antidrogës, i infiltruar si postier, dorëzoi pakon në adresën e shtetases amerikane. Menjëherë pasi ajo e mori në dorëzim, efektivët ndërhynë duke e arrestuar në flagrancë.
Gjatë marrjes në pyetje, shtetasja amerikane ka deklaruar se nuk kishte porositur asnjë lëndë të jashtëligjshme dhe se pakoja e sekuestruar nuk ishte porositur prej saj. Ndërkohë, Antidroga e Tiranës vijon hetimet për të verifikuar nëse e arrestuara ka lidhje me ndonjë grup kriminal që merret me trafikimin ose shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe për të zbardhur të gjithë skemën e këtij rasti.
