Policia e Tiranë ka vijuar zbardhjen e detajeve nga operacioni i koduar “Rrjeti”, i cili ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik armësh zjarri dhe municionesh luftarake.

Në këtë fazë të operacionit janë arrestuar katër shtetas: Marsel Varka, 35 vjeç; Elsaed Maqinaj, 25 vjeç; Fabian Zako, 29 vjeç; dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Sipas hetuesve, personat e arrestuar janë pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal, i cili dyshohet se operonte në bashkëpunim me grupe të tjera të ngjashme.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se gjashtë persona të përfshirë në këtë fazë hetimi i përkasin dy grupeve të ndryshme kriminale që bashkëpunonin në trafikun e armëve. Disa prej anëtarëve të këtyre grupeve janë arrestuar më herët gjatë aksioneve të mëparshme të policisë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu edhe mënyrën e funksionimit të rrjetit, i cili kishte ngritur baza të shpërndara në disa zona të ndryshme të Tiranës. Sipas të dhënave, armët zhvendoseshin shpesh nga një vend në tjetrin për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Po ashtu, hetuesit kanë dokumentuar edhe çmimet e tregtimit në këtë rrjet kriminal. Sipas tyre, pistoletat shiteshin deri në 1500 euro, ndërsa armët automatike të tipit “kallashnikov” arrinin vlera deri në 2500 euro, në varësi të porosive dhe kërkesës në tregun e zi.

Ndërkohë, operacioni vijon ende për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, Kevin Vila dhe Bledar Avdillari, si dhe për identifikimin e plotë të të gjithë personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë në zhvillim dhe priten detaje të reja në vijim.