Një tjetër rast i rëndë i trafikut të armëve është goditur nga autoritetet greke, të cilat kanë shkatërruar një rrjet kriminal që trafikonte municion luftarak nga Shqipëria në Greqi. Ndër të arrestuarit është edhe një shtetas shqiptar, ndërsa sasia e fishekëve të sekuestruar është e konsiderueshme.

Sipas të dhënave zyrtare, grupi kriminal ishte krijuar dhe drejtohej nga shtetasi grek Georgios Giannoulis, i cili kishte një rol qendror në organizimin e trafikut dhe mbledhjen e porosive. Ai bashkëpunonte me shtetasin shqiptar Kostika Braho, 41 vjeç, nga fshati Mirasi i Devollit, i cili siguronte fishekët nga burime të panjohura brenda territorit shqiptar dhe i transportonte ata drejt Greqisë.

Operacioni kulmoi më 28 qershor 2025, kur Braho kaloi kufirin nga pika e Kapshticës dhe u takua me anëtarët e grupit në një zonë malore pranë kishës afër kufirit greko-shqiptar. Takimi ishte planifikuar në orën 06:00 të mëngjesit dhe kishte për qëllim dorëzimin e ngarkesës së fishekëve kundrejt pagesës cash.

Ngarkesa u vendos në një vend të fshehtë brenda një automjeti tip “Renault”, e më pas, përmes një plani të mirëorganizuar për shmangien e dyshimeve, fishekët u transportuan përmes rrugëve të ndryshme deri në Portin e Pireut dhe më pas në Kretë, duke u shpërndarë me tragete në dy drejtime të ndryshme – Heraklion dhe Hania.

Destinacioni final ishte një zonë pranë Spitalit të Përgjithshëm të Hanias, ku automjeti u parkua përkohësisht dhe më pas u transportua në një pronë private nga vetë Giannoulis. Policia ndërhyri në momentin kur ai e çoi automjetin në një vend të paracaktuar dhe gjatë kontrollit zbuloi 24.070 fishekë të kalibrit 7.62 x 39 mm, të përdorur për armët luftarake “Kallashnikov”.

Në të njëjtën kohë, forcat speciale të Zyrës për Ndjekjen Penale të Trafikimit të Paligjshëm kontrolluan banesën e Kostika Brahos në fshatin Poria, Mesopotami të Kosturit, ku arrestuan shqiptarin dhe sekuestruan 900 euro, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet zbuluan gjithashtu se organizatori i trafikut, Georgios Giannoulis, është një emër i njohur për drejtësinë greke. Ai ishte arrestuar më herët më 12 shtator 2019, gjithashtu në Portin e Hanias, për trafikim të mbi 120.000 fishekëve dhe katër armëve automatike “Kallashnikov”, të ardhura ilegalisht nga Shqipëria. Për këtë rast, ai ishte në pritje të gjykimit dhe ndodhej nën masa kufizuese.

Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e furnizuesve brenda territorit shqiptar.