Falsifikimi


Edhe pas masave ndëshkuese në Rinas, duket se linja e trafikut ka gjetur shtigje të reja, po në këtë aeroport për të vazhduar, pavarësisht se shpeshherë zbulohet nga autoritetet e vendeve të tjera. Këtë radhë, i dyshuari, i cili është po nga Kosova, si në rastet e fillimvitit, ka kaluar me një pasaportë shqiptare biometrike të falsifikuar, duke prekur një tjetër plagë për vendin tonë, atë të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit. Sipas të dhënave zyrtare, në Aeroportin e Rinasit është arrestuar shtetasi nga Kosova, Xhavit Makolli, i cili akuzohet për falsifikim të dokumenteve të identifikimit dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Shqiptari nga Kosova është arrestuar mëngjesin e djeshëm në Rinas, menjëherë pas deportimit të tij nga Zvicra, ku identifikohej me emrin e rremë, Artan Hasanpapaj. Autoritetet zvicerane kanë bërë deportimin e tij, nën këtë identitet, por ndërkohë gjatë verifikimeve të policisë, ka rezultuar se bëhet fjalë për shtetasin kosovar, Xhavit Makolli, ndërsa identiteti me të cilin u vu në pranga në Zvicër rezulton i rremë. Burime të komisariatit të policisë në Rinas bëjnë të ditur se dyshohet që shtetasi kosovar të ketë blerë identitetin tjetër nga shtetasi Artan Hasanpapaj, me origjinë nga Tropoja, për të cilin kanë nisur hetime. Sipas informacioneve të besueshme, dyshohet që kosovari ka ofruar një shumë të konsiderueshme parash, kundrejt blerjes së pasaportës biometrike me të cilën ka udhëtuar drejt Zvicrës.