Më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit në rrugët e kryeqytetit nuk funksiononin edhe para dëmtimeve nga protestat e dhunshme të javëve të fundit.

Raporti i fundit i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për qarkullimin rrugor në Bashkinë e Tiranës, i publikuar të hënën e 26 tetorit, tregon se sistemi i menaxhimit të qarkullimit kishte probleme serioze edhe para protestës. Sipas auditimit, më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit nuk transmetonin pamje, një pjesë e semaforëve nuk ishin të integruar në sistemin qendror, ndërsa investimet për përmirësimin e transportit dhe qarkullimit rrugor kanë mbetur ndjeshëm larg planeve.

“Nga 71 kamera të instaluara për monitorimin e trafikut në kryeqytet, 40, ose 56.3%, nuk transmetonin pamje gjatë verifikimit të KLSH-së më 1 korrik 2026, përpara dëmtimeve të fundit gjatë protestave. Për 11 kamera, ndërprerja e transmetimit kishte zgjatur nga dy deri në shtatë vjet, ndërsa 14 të tjera kishin qenë jashtë funksionit për periudha nga një deri në shtatë muaj. Sistemi i kamerave ishte plotësuar nëpërmjet një kontrate të vitit 2021, me vlerë rreth 59.9 milionë lekë. Auditimi konstatoi gjithashtu se platforma qendrore për shfaqjen e njëkohshme të pamjeve nuk funksiononte. Operatorët i monitoronin kamerat individualisht në kompjuter, ndërsa 10 semaforë nuk ishin integruar në sistemin qendror”.

Raporti i KLSH-së, që shqyrton periudhën 2023–2025, evidenton gjithashtu mangësi në transportin publik, vonesa në projektet infrastrukturore dhe probleme në monitorimin e shërbimeve urbane.

“Shpenzimet e programit të transportit publik në Bashkinë e Tiranës u rritën nga 325 milionë lekë në vitin 2023 në 1.53 miliardë lekë në vitin 2025. Megjithatë, pjesa dërrmuese e fondeve është përdorur për subvencione dhe rimbursime, përfshirë abonetë e studentëve dhe pensionistëve. Investimet përbënin 13% të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30% në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero. Në vitin 2025, investimet zinin vetëm 4% të shpenzimeve dhe u realizuan në masën rreth 2%”.

Raporti i KLSH-së konstaton se gjatë tre viteve nuk është arritur të realizohet as niveli i investimeve të planifikuara për një vit të vetëm, vitin 2023. KLSH paralajmëron se struktura e shpenzimeve, e orientuar kryesisht drejt subvencioneve, e kombinuar me realizimin e ulët të investimeve, krijon rrezik për mungesë ndikimi në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe cilësisë së shërbimit.

Top Channel