Operacioni
Policia e Elbasanit arreston tre transportuesit
Operacioni i policisë së Elbasanit për trafikun e veprave të artit u përshëndet edhe nga Rama
Bardha Nergjoni
Një grup, i cili dyshohet se merrej me vjedhjen dhe trafikimin e veprave të artit dhe të kulturës është arrestuar nga policia gjatë një operacioni në Qarkun e Elbasanit, ndërkohë që është gjetur dhe sekuestruar një kambanë rreth 300-vjeçare.
Tre të rinj nga Gramshi kanë rënë në prangat e policisë, teksa ishin duke transportuar kambanën e vjetër, që mendohet se është vjedhur në një nga kishat shqiptare vitet e fundit. Pas këtij operacioni, policia lokale lajmëroi arrestimin e të dyshuarve Arjan Zhezarit Koçi, Ervin Besim Koçi dhe Dashnor Fetah Hoxha. Hetimi për këta persona mësohet se ka filluar rreth një muaj më parë dhe agjentët, pasi kanë marrë informacione mbi aktivitetin e tre të rinjve, një ditë më parë kanë përgatitur planin dhe kanë ndërhyrë për arrestimin e tyre. Sipas policisë, atyre iu sekuestrua një makinë Mercedes Benz, me targa EL2697B, në të cilin u gjet kambana e dyshuar si e vjedhur. Burimet policore shpjeguan se në kambanë janë gdhendur fjalët “Ioannis Mariaciotti” dhe viti 1694, i cili është shkruar me shkronja romake.
Ndërkohë që policia ishte duke bërë arrestimet, një prej personave të dyshuar ka reaguar, duke kundërshtuar uniformat blu. Dashnor Hoxha do të duhet të përgjigjet edhe për “kundërshtim të punonjësve të policisë, veç akuzës për trafik të veprave të artit dhe të kulturës. Mësohet se të rinjtë, me banim në qytetin e Elbasanit, dyshohet se kanë bërë edhe herë të tjera transportin e materialeve me vlerë të trashëgimisë kombëtare. Dyshohet se shitja bëhej jashtë vendit. Po ashtu, po hetohet për një rrjet të organizuar të shitjes së pasurive të trashëgimisë kulturore, pasi mendohet se grupi ka lidhje me disa vjedhje që janë bërë në zonën e Elbasanit, ku është dëmtuar edhe kisha e Shën Premtit në Valësh. Synimi i grupit ishte për të vjedhur kokat e afreskeve, duke i dëmtuar ato.
Ndërkaq, po nga grupi hetimor mësohet se tre të arrestuarve u janë gjetur edhe disa radio policie, që mendohet se shërbenin për të siguruar transportin e materialeve me vlerë, duke kontrolluar policinë për ndonjë postbllok të mundshëm, me qëllim që t’i shpëtonin kontrolleve në makinë. Të rinjtë po hetohen edhe për vjedhje të tjera të materialeve me vlerë.
Drejtori i Policisë së Elbasanit deklaroi se do të vijojnë operacionet për të mos lejuar asnjë vjedhje apo trafikim të pasurisë kulturore dhe historike. Burime nga policia bëjnë të ditur se nuk dihet se kujt kishe i përket objekti i vjetër, i sekuestruar nga operacioni policor. Kambana është prej bronzi dhe mendohet se ka një vjetërsi më shumë se 300-vjeçare, duke marrë shkas edhe nga data e gdhendur në të. Gjithsesi, në bazë të mbishkrimit do të përcaktohet saktë edhe vendi, ku mendohet se është vjedhur. Shumë objekte kishtare janë vjedhur edhe në kishat e Gramshit. Klerikët kanë kërkuar që të shikohen të gjitha objektet e gjetura, me qëllim që ato që u takojnë atyre të kthehen në shtëpinë e Zotit.
Ndërkohë, ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Monumenteve të Kulturës kanë mbërritur në Elbasan dhe kanë bërë vlerësimin e kambanës. Është deklaruar se ajo i përket shekullit 16 dhe është e një kishe katolike. Këtë operacion e ka përshëndetur edhe kreu i ekzekutivit shqiptar. Kryeministri Rama ka uruar përmes rrjetit social “Twitter” operacionin e policisë për ndalimin e trafikantëve të veprave të artit dhe gjetjen e kambanës së vjetër. “Simbolikë e bukur sot: Arrestohet një tjetër grup trafikantësh të veprave të artit e kapet një kambanë e 1682-it”, shkruan Rama në “Twitter”.