SPAK ka përfunduar hetimet për tre episode të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ku janë sekuestruar mbi 1.700 kg marijuanë në Mal të Zi, rreth 236 kg marijuanë në Turqi dhe 475 kg kokainë në Holandë. Në këtë çështje janë marrë të pandehur 17 persona.

Sipas njoftimit të SPAK, hetimet kanë dokumentuar tre episode të trafikut të drogës, të realizuara në periudhën nëntor 2020 – janar 2021.

Episodi i parë: 1.722 kg marijuanë në Mal të Zi

Më 3 nëntor 2020, autoritetet kompetente të Malit të Zi sekuestruan 1.722 kilogramë marijuanë, e cila ishte dërguar nga Shqipëria dhe kishte si destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Episodi i dytë: 236 kg marijuanë në Turqi

Më 26 janar 2021, autoritetet turke sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion Turqinë.

Episodi i tretë: 475 kg kokainë në Holandë

Më 23 nëntor 2020, autoritetet kompetente të Holandës sekuestruan 475 kilogramë kokainë, e cila ishte dërguar nga Ekuadori në portin e Vlissingenit.

Sipas SPAK, të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar aktivitetet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEÇ”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.

Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar mes tyre, me persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me persona ende të paidentifikuar, për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria dhe vendet e Amerikës Latine, përfshirë Ekuadorin, drejt vendeve të ndryshme evropiane dhe Turqisë