Pas një hetimi gjashtëmujor të zhvilluar nga policia e Korçës, janë identifikuar personat përgjegjës për trafikun e 56 kg lëndë narkotike drejt Greqisë, që u zbulua në nëntor 2024, e fshehur në 44 shufra metalike në tavanin e një kamioni.
Masa e sigurisë “arrest me burg” është vendosur për shtetasit E. M., 38 vjeç dhe I. O., 62 vjeç – ky i fundit aktualisht i arrestuar në Malin e Zi për të njëjtën vepër penale.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim F. K., 39 vjeç nga Tirana dhe E. O., 24 vjeç nga Durrësi, të dy të dyshuar për bashkëpunim në këtë veprimtari kriminale.
Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e një punonjësi të DPSHTRR, i cili dyshohet se ka ndihmuar në ndryshimin e targave dhe pronësisë së automjeteve të përdorura për transportin e drogës. Ai është pezulluar nga detyra dhe po hetohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
