Durrës


Operacioni u drejtua nga Krimet e Rënda. Pranga edhe katër prostitutave


Prostituta dhe tutorë në pranga, të tjerë në kërkim. Katër vajza të reja, 17, 20 dhe 21-vjeçare janë kapur teksa ushtronin prostitucion në hyrje të Durrësit, kundrejt pagesës 2 mijë lekë. Bashkë me to, shërbimet e policisë kanë arrestuar dhe tre tutorë, mes të cilëve dhe një grua 47-vjeçare nga Peqini. Prej vitesh, Ura e Dajlanit në Durrës është shndërruar në një fole të ushtrimit të prostitucionit. Aty gjen persona që ofrojnë kundrejt pagesës marrëdhënie hetero dhe homoseksuale dhe herë pas here shërbimet policore organizojnë aksione për goditjen e dukurisë së paligjshme. Policia deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi disamujor të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë. Prangat janë shtrënguar në duart e shtatë personave, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Nën akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore janë arrestuar Bajame Ibrahimi, 47 vjeçe, nga Peqini, Gentjan Tahiri, 22 vjeç dhe Xhanfranko Kiptiu 21 vjeç, lindur në Itali dhe banues në zonën e plazhit. Me anë provave të pakontestueshme shkencore u arrit të dokumentohet se këta persona, në bashkëpunim dhe me katër personat e shpallur në kërkim, rekrutonin e më pas trafikonin drejt Italisë për t’i shfrytëzuar për prostitucion femra shqiptare. Nga dokumentimi i kryer u vërtetua trafikimi drejt Italisë i të paktën katër femrave të moshës 17-21 vjeçe, të cilat pas shfrytëzimit në Itali ushtronin prostitucionin tek Ura e Dajlanit në Durrës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash, dokumentet e identitetit të personave të përfshirë, pesë celularë dhe një sasi kontraceptivësh, ndërsa deklarohet se puna do të vijojë me hetimin pasuror të personave të përfshirë në këtë grup kriminal. V. Q.