Një operacion i përbashkët i autoriteteve greke dhe Europolit ka çuar në goditjen e një organizate të dyshuar kriminale që merrej me kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Shqipëria drejt territorit grek. Dhjetë persona kanë përfunduar në pranga, mes të cilëve edhe një shtetase shqiptare 33-vjeçare.

Aksioni policor u përqendrua në Selanik dhe në Thesproti, rajon që kufizohet me Shqipërinë. Mes personave të arrestuar janë shtatë shtetas grekë, dy sirianë dhe një shqiptare, të cilët dyshohen se kishin ngritur një strukturë të organizuar për transportimin dhe shfrytëzimin e emigrantëve.

Nga hetimet rezulton se grupi kishte nisur aktivitetin të paktën në qershor të vitit 2025. Brenda kësaj periudhe, anëtarët e tij dyshohet se kishin realizuar 41 operacione të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke mundësuar hyrjen në Greqi të më shumë se 500 personave, kryesisht shtetas nga Nepali, Jemeni dhe Kina.

Për të shmangur kontrollet kufitare, emigrantët udhëhiqeshin nëpër rrugë të izoluara malore, ku detyroheshin të ecnin për orë të tëra në terrene të vështira. Një pjesë e këtyre lëvizjeve është dokumentuar nga policia greke përmes pamjeve të regjistruara me dronë.

Pasi mbërrinin në territorin grek, emigrantët vendoseshin përkohësisht në ndërtesa apo strehime të improvizuara në zonën e Thesprotisë. Sipas autoriteteve, anëtarët e organizatës shfrytëzonin situatën e tyre duke u shitur ushqime, ujë dhe karta telefonike me çmime shumë më të larta se ato të tregut.

Më pas, përmes automjeteve të siguruara nga rrjeti, organizohej zhvendosja e tyre drejt qyteteve si Athina dhe Patra, por edhe në zona bujqësore të Peloponezit.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe dyshime për shfrytëzim në punë. Shumë prej emigrantëve përfundonin duke punuar pa dokumentacion të rregullt dhe pa sigurime shoqërore. Në raste të caktuara, anëtarët e rrjetit dyshohet se u konfiskonin pasaportat, duke ua kthyer vetëm pasi të kishin shlyer përmes punës pagesat e kërkuara për transportin.

Sipas përllogaritjeve të policisë, aktiviteti i paligjshëm i kishte siguruar organizatës të ardhura prej të paktën 750 mijë eurosh.

Gjatë ndërhyrjes, përveç dhjetë personave të dyshuar si pjesëtarë të rrjetit, autoritetet ndaluan edhe 21 emigrantë që nuk dispononin dokumente të vlefshme qëndrimi në Greqi.

Policia sekuestroi gjithashtu automjete, pajisje telefonike, shuma parash dhe pasaporta, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në kuadër të procedimit penal.

Operacioni nuk konsiderohet ende i përfunduar, pasi hetuesit po punojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të zbardhur të gjithë zinxhirin e organizimit të trafikut të emigrantëve përmes kufirit shqiptaro-grek.