Një ngjarje e rëndë është raportuar pak minuta më parë në Liqenin e Ulzës, ku një i ri dyshohet se ka humbur jetën gjatë lundrimit me motor uji.
Sipas informacioneve paraprake, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, drejt zonës është nisur edhe Kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça, për të ndjekur nga afër hetimet. Deri tani nuk bëhet i ditur identiteti i viktimës, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai ishte banor i zonës apo turist.
Autoritetet po vijojnë kërkimet dhe verifikimet në terren, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje të tjera mbi këtë ngjarje tragjike që ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara turistike gjatë sezonit veror.
