Një konflikt mes dy familjeve ka përfunduar me një viktimë në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pas një përleshjeje mes kushërinjve.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50, kur mes palëve ka shpërthyer një sherr që ka degjeneruar në përdorimin e një mjeti prerës. Si pasojë, i riu ka pësuar plagë të rënda dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve.

Nga konflikti ka mbetur i plagosur edhe babai i viktimës, 57 vjeç, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor. Personat e dyshuar, si dhe disa familjarë të viktimës, janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në zonë, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me prokurorinë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.