Një ngjarje tragjike është shënuar në Greqi, ku një 46-vjeçar shqiptar humbi jetën gjatë punës në një kantier ndërtimi në zonën e Shpatit të Janinës.

Sipas mediave greke, shqiptari po punonte në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza, kur gjatë gërmimeve një masiv dheu u shemb papritur duke e zënë poshtë.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e shpëtimit dhe ambulanca, të cilat ndërhynë për ta nxjerrë nga dheu, por 46-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Autoritetet greke kanë arrestuar përgjegjësin e kantierit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.