Një 59-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi ka rënë nga skela e një kantieri ndërtimi në zonën e Rivabellës, në Rimini.

Viktima është identifikuar si Saim Myrtaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të së hënës, teksa 59-vjeçari ndodhej në një objekt ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje.

Sipas rindërtimit paraprak, Myrtaj ishte në katin e dytë të skelës kur ka rënë në një hapësirë të platformës që shërbente për kalimin e shkallëve mes niveleve. Ai përfundoi në tarracën e një apartamenti në katin e parë.

Ngjarja u zbulua nga banori i apartamentit, i cili dëgjoi një zhurmë të fortë dhe, pasi doli jashtë, gjeti 59-vjeçarin të pajetë. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, nuk u bë e mundur shpëtimi i tij.

Pas aksidentit, Prokuroria e Riminit ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia, ndërsa për momentin procedimi është regjistruar ndaj personave ende të paidentifikuar.

Skela ku ndodhi rënia është sekuestruar dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës. Hetuesit po verifikojnë gjendjen e strukturës, masat mbrojtëse dhe nëse në kantier janë respektuar rregullat e sigurisë për punën në lartësi.

Në kuadër të hetimit do të përcaktohet gjithashtu nëse rënia ka ardhur si pasojë e një humbjeje ekuilibri, një problemi shëndetësor apo të ndonjë mangësie në kushtet e punës. Autopsia pritet të japë të dhëna të rëndësishme për shkakun e vdekjes.

Punëdhënësi i 59-vjeçarit është marrë në pyetje nga policia. Sipas të dhënave paraprake, Myrtaj punonte prej vitesh në sektorin e ndërtimit dhe kishte ushtruar edhe aktivitet të pavarur si murator.

I ardhur në Rimini në fillim të viteve 2000, shqiptari jetonte prej vitesh në Itali dhe la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë. Lajmi i rëndë ka prekur edhe komunitetin shqiptar në zonë, ndërsa shoqata “Agimi Rimini” ka shprehur ngushëllimet për familjarët.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo nëse janë shkelur rregullat e sigurisë në vendin e punës.