Një 20-vjeçar nga Kili ka humbur jetën pasi ra në një përrua teksa po përpiqej të kalonte në këmbë nga Shqipëria drejt Greqisë.
Sipas autoriteteve greke, ngjarja ndodhi pranë zonës së Mavromatit, në veriperëndim të vendit. I riu po udhëtonte së bashku me një mik të tij kur, për arsye që ende po hetohen, rrëshqiti dhe përfundoi në përrua.
Në vendngjarje u angazhuan ekipet e zjarrfikësve, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të 20-vjeçarit.
Shoku i viktimës, 22 vjeç, u ka deklaruar autoriteteve se të dy kishin zgjedhur të kalonin kufirin në këmbë nga Shqipëria në Greqi për të shmangur shpenzimet e udhëtimit, pasi kishin mundësi të kufizuara financiare.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes tragjike.
