Një person i pajetë është gjetur në ujërat e lumit Mat, në fshatin Zenisht, duke alarmuar banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë është konstatuar fillimisht nga banorët, të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet për ngjarjen.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipet mjekësore të spitalit të Burrelit, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë.

Viktima është një mashkull rreth 55 vjeç dhe dyshohet paraprakisht se bëhet fjalë për ish-oficerin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili sipas burimeve kishte humbur kujtesën dhe ishte larguar më herët nga banesa e tij në Tiranë.

Policia po punon për identifikimin e plotë të viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.