Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Cadimare, ku një i ri shqiptar ka humbur jetën tragjikisht gjatë një noti në ujërat e Gjirit të Poetëve.
Viktima është Ambler Xhoecuka, 22 vjeç, i cili sipas mediave italiane do të festonte 23-vjetorin pas pak javësh. I riu kishte hyrë në det për të notuar, në atë që thuhet se ishte hera e parë për këtë sezon veror.
Sipas raportimeve, vetëm pak minuta pasi ishte futur në ujë, ai ka pësuar një kolaps të papritur. Një grua që po kalonte pranë zonës ka vënë re trupin e tij duke lundruar rreth 50 metra larg bregut dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Dy të rinj janë futur menjëherë në ujë dhe kanë arritur ta nxjerrin shqiptarin në breg, ndërsa ekipet mjekësore kanë tentuar për afro një orë ta rikthejnë në jetë. Pavarësisht përpjekjeve intensive, 22-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet italiane identifikuan viktimën përmes dokumenteve personale dhe sendeve të lëna pranë bregut. Dyshimet paraprake flasin për një problem të papritur fizik, i shkaktuar nga lodhja dhe temperaturat ende të ulëta të ujit.
