Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Tiranë, ku një grua 45-vjeçare ka humbur jetën pasi është mbytur pranë Liqenit të Thatë.
Sipas informacioneve paraprake nga burime, gruaja kishte shkuar pranë liqenit, ku kishte lënë automjetin dhe sendet e saj personale, ndërsa më pas dyshohet se është vetëmbytur. Ngjarja ka ndodhur rreth një orë më parë, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit. Mësohet se do të merren në pyetje familjarët e viktimës, ndërsa priten edhe të dhëna zyrtare nga autoritetet.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 07:10 shërbimet e Stacionit të Policisë Farkë u njoftuan se një shtetase dyshohej se ishte vetëhedhur në ujë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u angazhuan polumbarët e RENEA-s, të cilët nisën kërkimet. Rreth orës 09:00, ata gjetën në ujërat e liqenit trupin e pajetë të shtetases me inicialet M. T., rreth 45 vjeçe. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
