Pas tragjedisë që tronditi Porcarin dhe gjithë komunitetin shqiptar në Itali, ku familja Kola humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj mbrëmjen e 4 shkurtit, është hapur një fushatë solidariteti në platformën GoFundMe për të ndihmuar familjarët e viktimave.
Fushata është iniciuar nga Durim Kola, xhaxhai i Hajdarit dhe Xhesikës, si dhe vëllai i Artit Kola, i cili ishte edhe personi që gjeti trupat e pajetë në banesë dhe që vetë përfundoi në spital për shkak të ekspozimit ndaj gazrave toksikë. Ai tashmë është jashtë rrezikut dhe është liruar nga spitali.
Në thirrjen e publikuar në “GoFundMe”, Durim Kola shprehet se fondet po mblidhen për të përballuar shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Sipas tij, çdo shumë që do të mbetet pas mbulimit të këtyre shpenzimeve do të përdoret për të ndihmuar familjarët e viktimave.
“Jam Durim Kola. Po mbledh fonde për humbjen e familjes së vëllait tim, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga kaldaja e gazit në Porcari, në provincën e Luccës. Fondet do të përdoren për shpenzimet e varrimit dhe për transportin e trupave në Shqipëri, ku do të zhvillohen edhe funeralet. Shumat që do të mbeten do të shërbejnë për të ndihmuar familjet e tyre. Ju falënderoj nga zemra për ndihmën”, thuhet në thirrje.




