Është kryer në Tiranë autopsia e trupit të Sara Brugnatellit, 26-vjeçares italiane e cila humbi jetën në një aksident tragjik rrugor në Durrës. Në aksident humbën jetën edhe partneri i saj, Kleo Vrioni, 25 vjeç, i cili drejtonte automjetin, si dhe një 15-vjeçar. Familja e të resë tashmë pret kthimin e trupit në Itali, ndërsa sipas familjarëve, riatdhesimi mund të bëhet javën e ardhshme, por ende nuk ka një datë të përcaktuar.

Familja e Sarës po përballet me dhimbjen dhe pritjen për kthimin e saj në Itali. Sipas kushërirës së 26-vjeçares, babai i saj është “i shkatërruar”, ndërsa familjarët po përpiqen ta mbajnë larg informacioneve të rënda për shkak të gjendjes së tij të brishtë. Komuniteti i Zoccos dhe miqtë e Sarës janë mbledhur rreth familjes, duke kujtuar të renë si një vajzë të hareshme dhe bujare.

“Ishte si një motër për mua. Një humbje jashtëzakonisht e madhe”, është shprehur kushërira e saj.