Të mbijetuarit kanë mbetur shumë ditë pa bukë, ndërsa ndihmat po mbërrijnë me vështirësi


Filipinet (2)Dëshpërimi përfshiu ishujt e Filipineve që u shkatërruan nga tajfuni Haijan, ndërsa grabitjet u përshkallëzuan në vrasje gjatë ditës së djeshme e të mbijetuarit janë në panik nga mungesa e ushqimeve, ujit e ilaçeve. Disa prej tyre shpuan tubat e ujësjellësve duke përkeqësuar edhe më shumë situatën.


Pesë ditë pas njërës prej stuhive më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë, zemërimi dhe lodhja shpërthyen të mërkurën, ndërsa furnizimet me mallrat e mbijetesës qenë të dobëta. Disa të mbijetuar shkruan “Na Ndihmoni!”


Debati ka shpërthyer edhe mbi numrin e të vdekurve. Presidenti Beninjo Akuino (Benigno Aquino) tha se zyrtarët vendorë e kanë mbivlerësuar humbjet e jetëve. Sipas tij, 2000 deri në 2500 vetë u vranë nga stuhia në vend të 10 mijë që qe vlerësimi i mëparshëm. Komentet e tij gjithsesi u kritikuan nga disa punonjës ndihmash.


Disa zona të goditura janë pranë anarkisë për shkak të vjedhjeve masive të dyqaneve dhe magazinave për ushqime. Pati raporte për të shtëna me armë mes forcave të sigurisë dhe njerëz të armatosur pranë një varri masiv në qytezën Takloban, në provincën Leite, por një administrator i qytetit mohoi përleshjet.


Tetë njerëz u shtypën për vdekje kur grabitësit sulmuan rezervat e orizit në një magazinë shtetërore, duke shkaktuar rrëzimin e një muri. Grabitës të tjerë arritën të marrin 33 mijë thasë me oriz, secili peshonte 50 kilogramë.


Filipinet (1)


Administratori i Taklobal tha se 90 për qind e këtij qyteti bregdetar me 220 mijë banorë është shkatërruar dhe vetëm 20 për qind e banorëve po furnizoheshin me ndihma. Shtëpitë tashmë po grabiten për shkak se magazinat janë boshatisur sakaq.


Grabitjet, sipas zyrtarëve, nuk bëhen thjesht si krim, janë më shumë rezultat i luftës për mbijetesë.


Një banore tha se po merrte 3 kilogramë oriz dhe 1 litër ujë për familje në ditë dhe se kjo qe tërësisht e pamjaftueshme.


Qeveria në Filipine mohoi që ligji dhe rendi po thyhej.


Mijëra të zhdukur


Qeveria është bombarduar nga tajfuni që shkatërroi pjesë të mëdha të vendit dhe duket e papërgatitur për të shpërndarë ndihmat e nevojshme për të mbijetuarit.


Mbi Presidentin Akuino kanë rënë akuza për paaftësi në menaxhimin e katastrofës ndërsa refuzon raportimet se mund të ketë mbi 10 mijë të vdekur.


Të vdekurit e konfirmuar deri tani janë rreth 3 mijë, ndërsa regjistrohen zyrtarisht edhe vetëm 84 të zhdukur.


Por punonjësit e ndihmave hodhën dyshime mbi këto vlerësime. Shumë zona janë ende të paaksesueshme dhe nuk dihet se sa viktima ka, tha një punonjës i Kryqit të Kuq. Vlerësimi i kësaj organizate është se ka 22 mijë të zhdukur, por kjo shifër mund të përfshijë edhe njerëz që janë zhvendosur.


“Google”, e cila ndërtoi faqe interneti për të ndihmuar njerëzit për të ndarë informacion mbi të zhdukurit, thotë se aktualisht listohen 65 mijë njoftime. Por stafi i kompanisë tha se të dhënat nuk janë shumë të sakta.


Evakuim kaotik


Nuk ka mjaftueshëm fluturime ajrore nga Takloban për të transferuar drejt zonave të paprekura numrin e stërmadh të njerëzve që duhet të evakuohen, pasi në shtëpitë e tyre nuk është e mundur të ndihmohen. Shumë nga të mbijetuarit ecën për shumë orë drejt aeroportit për t’u transportuar nga avionët e ushtrisë, në një eksod masiv me shkallë të paprecedentë për vendin. Shumë njerëz kanë mbetur për ditë të tëra pa bukë dhe pa ujë. Radha e pritjes në aeroport zgjat me ditë.


Kriminelët raportohen se janë liruar nga burgjet.


Kostoja e përgjithshme financiare e stuhisë tashmë vlerësohet mes 8 dhe 19 miliardë dollarë.