Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest të Francës, ku të enjten një çift shqiptar u gjet i pajetë në apartamentin e tyre. Sipas hetimeve të para, 36-vjeçari Andon Janaqi dyshohet se vrau partneren e tij, 30-vjeçaren Anjeza Zeneli, dhe më pas i dha fund jetës.

Floresha Janaqi, nëna e 36-vjeçarit, ka treguar momentet e para për Euronews pas marrjes së lajmit, duke thënë se informacionin e mori nga nusja e djalit tjetër të saj. Sipas saj, çifti debatonin shpesh, por djali e kishte pasur shumë xhan partneren.

“ Nusja e djalit më njoftoi se Andoni ka vrarë Anjezën dhe më pas veten. Flisja shpesh me të dhe e këshilloja të qetësonte gjërat. Ziheshin shpesh, por ai e donte shumë, deri në marrëzi. Kanë katër vjet në Francë dhe nuk e di pse ka ndodhur kjo, pasi ekonomikisht nuk kishin probleme,” u shpreh ajo.

E tronditur, nëna e viktimës i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare t’i ndihmojnë për kthimin e trupit të djalit në atdhe. Ajo tha se situata është edhe më e vështirë pasi vajza tjetër e saj është e sëmurë dhe familja e partneres së djalit ende nuk i ka kthyer përgjigje.

“E kam vajzën tjetër të sëmurë. I lutem shtetit të më ndihmojë të kthej trupin e djalit. Edhe familjes së Anjezës u kërkoj falje. Më thënë të mos i marr në telefon, se nuk kam fytyrë t’u flas,” tha ajo.

Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk ndodhej në shtëpi në momentin e tragjedisë, ndërsa fëmija më i vogël ishte në shkollë kur ndodhi ngjarja e rëndë. Autoritetet franceze vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.