Të tjera të dhëna kanë dalë në dritë për aksidentin tragjik në një restorant në Arrameras të Fushë-Krujës, ku humbi jetën 16-vjeçari Enes Isaku. I mituri punonte si kamerier në lokal dhe dyshohet se vdekja e tij erdhi pas shkëputjes së papritur të ashensorit.
Sipas informacioneve paraprake, pak përpara tragjedisë Enesi dhe kolegu i tij 26-vjeçar, Endri Stafuka, po bënin shaka me njëri-tjetrin. Në një moment, adoleshenti është futur në ashensor për të zbritur drejt katit të parë.
Dyshohet se Stafuka e ka shtyrë me duar 16-vjeçarin brenda ashensorit dhe më pas ka aktivizuar butonin e zbritjes. Pikërisht në ato çaste, për shkaqe që po hetohen, mekanizmi është shkëputur.
Rënia e menjëhershme rezultoi fatale për Enes Isakun, i cili pësoi një goditje të rëndë në kokë pas përplasjes me pllakat. Dëmtimet i morën jetën të miturit.
Nga të dhënat e deritanishme mësohet se incidenti mund të kishte shkaktuar edhe një tjetër viktimë, pasi shkëputja e ashensorit dyshohet se vuri në rrezik edhe 26-vjeçarin që ndodhej pranë tij.
Një tjetër detaj që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me përdorimin e ashensorit pak përpara aksidentit. Mësohet se vetëm disa momente më herët ai ishte përdorur nga pronari i restorantit, Afrim Vathi, i cili njëkohësisht është gjyshi i 16-vjeçarit që humbi jetën.
Pas tragjedisë, policia arrestoi Endri Stafukën, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga përfundoi edhe Afrim Vathi. Ndaj 62-vjeçarit rëndojnë dyshimet për “Shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehjen e të ardhurave”.
Hetuesit po përpiqen tashmë të përcaktojnë shkakun teknik të shkëputjes së ashensorit, gjendjen e tij dhe nëse ishin respektuar kushtet e nevojshme të sigurisë. Paralelisht po rindërtohen minutat e fundit përpara aksidentit për të përcaktuar përgjegjësitë për tragjedinë që i mori jetën 16-vjeçarit.
