Për emisionin “Shqipëria LIVE”, ka folur sot Përparim Ademi, xhaxhai i një prej të miturve që humbi jetën pasdite ne të shtunës në Gjakovë, pasi u zu poshtë rrënojave së bashku me dy fëmijë të tjerë.
Ai ka treguar se nipi dhe dy shokët e tij luanin shpesh në atë zonë, teksa banesa që ishte dëmtuar gjatë kohës së luftës, ishte e rrethuar me tela me gjemba.
“Nipi ishte 16 vjeç, luante me shokët e vet në atë zonë. ata djem i gjeti një fatkeqësi, i zuri poshtë një banesë që ishte e pabanueshme. Ishte me dy shokë të tij. Ajo banesë ka qenë e rrethuar me tela, ishte dëmtuar gjatë luftës, që prej asaj kohe kishte mbetur ashtu.
Ne po i kërkonim djemtë në lagje, kur pamë që kjo banesë ishte e rrëzuar, menduam që do ishin atje sepse luanin shpesh atje. Aty kontrolluam dhe i gjetëm poshtë rrënojave. I kemi kërkuar nga ora 6 deri në orën 10. Është shumë e vështirë. Unë kam humbur nipin dhe një kushëri.”– tregoi ai.
Tragjedia e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre fëmijë humbën jetën pas shembjes së një objekti të vjetër. Fëmijët, dy 15-vjeçarë dhe një 14-vjeçar, ndodheshin brenda objektit kur ai është shembur dhe i ka zënë ata nën pllakat e tij.
Sipas autoriteteve, objekti ka qenë një ndërtese e vjetër, e pabanuar, që ka mbetur pas luftës së vitit 1999 në Kosovë. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e fëmijëve, trupat e të cilëve janë dërguar për obduksion.
Familjarët e viktimave, përfshirë Përparim Ademajn, kanë treguar se fëmijët kishin dalë për të luajtur dhe ishin gjetur në objektin e shembur pas kërkimeve. Sipas tij, kamerat e sigurisë në afërsi tregojnë se objekti është shembur rreth orës 16:35, ndërsa trupat janë gjetur pas gati katër orësh. Ata janë gjetur pa shenja jete, dhe autoritetet kanë reaguar shpejt për t’i ofruar ndihmën e nevojshme.


