Situata e rënduar nga zjarri tragjik në Koçan vazhdon të rëndohet, ndërsa edhe 20 persona të tjerë, përfshirë tre zjarrfikës, janë shtruar sot në spital. Sipas njoftimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, numri i të hospitalizuarve ka arritur në rreth 90 persona, pavarësisht transferimeve të shumta jashtë vendit.

Nga të lënduarit, 60 pacientë ndodhen në Qendrën Klinike në Shkup, 17 në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe 12 në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit”. Gjithashtu, në spitalin privat “Axhibadem Sistina” janë duke u trajtuar 8 pacientë, ndërsa në “Zhan Mitrev” ndodhen 6 të lënduar.

Për shkak të gjendjes së rënduar të disa prej pacientëve, autoritetet kanë organizuar transferime emergjente në spitale jashtë vendit. Deri më tani, janë transferuar 24 të lënduar, përfshirë 13 në Serbi, 2 në Slloveni, 4 në Letoni, 1 në Bullgari dhe 4 në Austri. Në Serbi, të lënduarit janë shpërndarë në disa qendra mjekësore: 1 në Qendrën Klinike Nish, 4 në AUM dhe 8 në Qendrën Klinike Beograd. Numri total i pacientëve të transportuar jashtë vendit ka arritur në 73.

Pritet që gjatë natës të realizohen edhe transporte të tjera drejt Athinës (Greqi) dhe Zagrebit (Kroaci), ndërsa në ndihmë të ekipeve mjekësore vendase kanë arritur specialistë nga Qendra Sheba e Izraelit. Aktualisht, ekipet mjekësore nga Çekia dhe Izraeli po punojnë në Qendrën Klinike të Shkupit për të ndihmuar të lënduarit.

Autoritetet shëndetësore vijojnë të monitorojnë gjendjen e pacientëve dhe po bëjnë përpjekje maksimale për trajtimin e tyre në kushte optimale.