Janë identifikuar dy gratë që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në dalje të fshatit Delisufaj, ku automjeti me të cilin udhëtonin përfundoi në një kanal vaditës të mbushur me ujë.

Viktimat janë Mirel Haskaj, 48 vjeç, dhe Florije Xhepa, 50 vjeç, të cilat mësohet se ishin motra. Mirel Haskaj ishte e martuar dhe banonte në Delisufaj.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti nuk ka mundur të kalojë në urë dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanalin vaditës. Për shkak të rrjedhës së fortë të ujit, makina është zhvendosur nën urë, ndërsa dy gratë kanë mbetur të bllokuara brenda saj.

Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, dy motrat nuk kanë mundur të dalin nga automjeti dhe kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes.

Forcat e emergjencës kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave, të cilët më pas janë transportuar drejt morgut të Lushnjës.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, përfshirë shkaqet që çuan në përfundimin e automjetit në kanalin vaditës.