Kryetari i Bashkisë së Maliqit ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin këtë të diel, ku si pasojë e një zjarri në një banesë humbën jetën Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar, Luka Azizllari, ndërsa vajza 6-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kreu i bashkisë e cilësoi ngjarjen si “të rëndë”, duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimave.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të së dielës, kur banesa e familjes Azizllari u përfshi nga flakët. Dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një sobe me dru, ndërsa autoritetet janë duke hetuar shkaqet e sakta të incidentit.

Postimi i plotë:

Ngjarje e rëndë në Maliq
Një ngjarje e trishtë ka prekur sot qytetin tonë.
Një nënë dhe djali i saj kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e asfiksisë nga tymi në ambientet e baneses të tyre, ndërsa vajza e vogël 6-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Në këto momente dhimbjeje të thellë, Bashkia e Maliqit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këtë situatë kaq të rëndë.
Ngjarje të tilla na kujtojnë sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndësishme është të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të vështira.
Ngushëllime të ndjera!