Një aksident tragjik që i mori jetën një fëmije 7-vjeçar në fshatin Mengël të Elbasanit ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë e fëmijëve pranë shkollave të vendosura buzë akseve kombëtare.
Ngjarja e rëndë ka ngritur pyetje të forta mbi efektivitetin e masave të sigurisë rrugore dhe respektimin e sinjalistikës nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Nisur nga kjo tragjedi, “Fiks Fare” zhvilloi një vëzhgim në tre institucione arsimore të vendosura pranë akseve kombëtare, shkollën 9-vjeçare “Sulejman Rançi” në Mengël, shkollën 9-vjeçare të Bishqemit dhe gjimnazin “Mustafa Qemal Ataturku” në Pajovë.

Vëzhgimi tregoi se në të tre rastet janë vendosur masa sigurie si sinjalistikë horizontale dhe vertikale, vija të bardha, policë të shtrirë, tabela kufizimi shpejtësie dhe në disa raste edhe mbikalime për këmbësorët. Megjithatë, problemi kryesor mbetet mosrespektimi i këtyre rregullave, si nga drejtuesit e automjeteve ashtu edhe nga vetë qytetarët.
Në shkollën 9-vjeçare “Sulejman Rançi” në Mengël, e cila ndodhet pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal, u konstatuan të gjitha elementët bazë të sigurisë rrugore. Pas ngjarjes tragjike, gjatë orarit të hyrjes së nxënësve ishte i pranishëm edhe një efektiv policie për të ndihmuar kalimin e tyre. Megjithatë, shumë prindër dhe nxënës vazhdojnë të kalojnë rrugën jashtë vendkalimeve të përcaktuara.

“Fëmijët i shoqërojmë çdo ditë sepse kemi frikë. Makinat ecin me shpejtësi dhe polici nuk është gjithmonë këtu”, u shpreh një prind. Ndërsa një tjetër pranoi se kishte kaluar rrugën në mënyrë të rrezikshme duke menduar se nuk po afrohej asnjë automjet.
Në Bishqem, pranë shkollës 9-vjeçare në aksin Peqin-Elbasan, ekziston një mbikalim për këmbësorët dhe sinjalistikë e qartë rrugore. Nxënësit e përdorin atë për të kaluar rrugën, por shumë qytetarë zgjedhin të kalojnë mes për mes aksit, duke rrezikuar jetën.

“Jam plakë dhe nuk ngjitem dot në mbikalim. Nuk kam kaluar asnjëherë prej andej, më dhembin gjunjët”, tha një banore e zonës, duke shtuar se në këtë segment kanë ndodhur edhe aksidente të tjera.
E njëjta situatë u konstatuan edhe pranë gjimnazit “Mustafa Qemal Ataturku” në Pajovë. Edhe pse infrastruktura e sigurisë ishte e pranishme, shumë këmbësorë dhe nxënës shmangnin vendkalimet e përcaktuara, ndërsa automjete të shumta lëviznin me shpejtësi më të lartë se kufijtë e lejuar.

Për ekspertin e sigurisë rrugore, Artur Sulçe, shkollat që ndodhen brenda zonave të banuara duhet të kenë sinjalistikë të plotë dhe të projektuar sipas standardeve ligjore. Sipas tij, kufizimi i shpejtësisë duhet të nisë që në hyrje të zonës së banuar, të ulet në 40 kilometra në orë dhe pranë shkollave të zbresë në 20 ose 30 kilometra në orë.

“Rreth 20 për qind e fondeve të rrugëve shkojnë për sinjalistikën dhe po aq për qind e aksidenteve lidhen me mungesën ose problematikat e saj. Për sa kohë projektet nuk hartohen dhe kontrollohen nga profesionistët, do të vazhdojmë të përballemi me pasoja të rënda”, theksoi Sulçe.

Vëzhgimi i “Fiks Fare” nxori në pah se, edhe kur infrastruktura ekziston, siguria e fëmijëve mbetet e cenuar nëse rregullat nuk respektohen. Tragjedia e Menglit shërben si një kujtesë e dhimbshme se një moment pakujdesie mund të kusht.
