Një ngjarje tragjike është regjistruar në liqenin e Pogradecit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë në ujë nga një varkë pedalinë dhe nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe.
Sipas dëshmive të personave që ndodheshin me të, i riu ishte në varkë së bashku me dy shokë, rreth 150 metra larg bregut. Të tre po kalonin kohë në liqen, ndërsa në një moment, teksa po luanin me njëri-tjetrin, 32-vjeçari ka rënë në ujë.
Mësohet se i riu nuk dinte të notonte mirë dhe, pasi është trembur në ujë, ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe.
Dy shokët e tij janë përpjekur ta ndihmojnë dhe ta nxjerrin nga uji, por nuk kanë mundur ta shpëtojnë.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar shërbimet e emergjencës dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e 32-vjeçarit nga liqeni.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e rënies së të riut në ujë.
