Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, ku një baba u arrestua për abuzim seksual ndaj vajzës së tij 12-vjeçare në fshatin Sheqisht të Fierit, familja e viktimës ndodhet në një gjendje të rënduar, si shpirtërore ashtu edhe ekonomike.

Xhemal Ruko, gjyshi i fëmijëve dhe babai i Juelës, nënës së tyre, shprehet i shokuar dhe i pafuqishëm përballë tragjedisë. Ai apelon për ndihmë nga institucionet shtetërore dhe çdo individ apo biznes që mund të kontribuojë.

“Juela nuk ka mundësi të punojë, më i vogli nga fëmijët është vetëm një vjeç. Jemi në një gjendje shumë të vështirë. Kërkojmë ndihmë nga kushdo që mundet”, tha ai.

Pas arrestimit të babait, nëna ka mbetur rrugëve me 6 fëmijët e tjerë, pa shtëpi dhe pa ushqim. Ndihma e vetme që kanë marrë deri tani është një pagesë prej 200 mijë lekësh të reja nga bashkia dhe premtimi për mbulim qiraje për një banesë që ende nuk është siguruar.

Ruko thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me mbesën e abuzuar, e cila ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë. Ai shprehet se nuk ka qenë në dijeni të situatës së rëndë, dhe po të kishte ditur, “do kishte vepruar ndryshe”.

Ndërkohë, shërbimi social i bashkisë, sipas Juelës, nuk e ka kontaktuar ende për të parë nga afër gjendjen e saj. Nëna e 7 fëmijëve endet rrugëve të Fierit me gjashtë fëmijët e tjerë, në kushte të mjerueshme.

Në këtë situatë, reagimi i parë ka ardhur nga gazetarët fierakë, të cilët i kanë dalë në ndihmë familjes me pako ushqimore. Po ashtu, një biznes lokal ka dhuruar ndihma, duke iu bashkuar thirrjes për solidaritet.

Familja Ruko kërkon ndihmë urgjente për strehim, ushqim dhe mbështetje afatgjatë, në mënyrë që fëmijët të mos mbeten viktima të mëtejshme të kësaj tragjedie.