Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë në fshatin Domën të Shkodrës, ku humbën jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur si pasojë e zjarrit në banesë.
Në një mesazh publik, kreu i shtetit ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e viktimave, duke ndarë dhimbjen për humbjen e tre jetëve.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga tragjedia në fshatin Domën të Shkodrës, ku humbën jetën një nënë e re dhe dy fëmijët e saj. Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjarët dhe të afërmit e viktimave. Mendimet e mia janë me ta në këtë dhimbje të madhe. U prehshin në paqe”, u shpreh Begaj.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit.
