Po zhvillohet me dyer të mbyllura në Gjykatën e Elbasanit seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Petri Bozo, i cili është nën hetim për aksidentin tragjik ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar në fshatin Mengël.
Në seancën gjyqësore, organi i akuzës është përfaqësuar nga prokurori Adnand Hoxha, i cili ka kërkuar që ndalimi i të dyshuarit të konsiderohet i ligjshëm dhe ndaj tij të caktohet masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas Prokurorisë, ekzistojnë “dyshime të arsyeshme” që lidhin Petri Bozon me aksidentin fatal që tronditi opinionin publik në Elbasan dhe solli reagime të shumta nga komuniteti.
Ngjarja e rëndë ka rikthyer në vëmendje edhe problematikat e sigurisë rrugore në zonën e Menglit, si dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.
Gjatë seancës janë paraqitur argumentet dhe provat paraprake nga palët, ndërsa gjykata pritet të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për “Arrest në burg” apo do të caktojë një masë tjetër sigurie ndaj personit nën hetim.
