Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë rrugor në Itali. Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Renis Domi, i cili jetonte prej disa kohësh në Concesio.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në Bezzecca, në provincën e Trentos. 42-vjeçari po drejtonte një motoçikletë tip “Yamaha R1” kur u përplas me një automjet “Renault Clio”, që drejtohej nga një grua 67-vjeçare, banore e Bezzeccës. Përplasja rezultoi fatale për Renis Domin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesja e automjetit u transportua në Spitalin e Trentos në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.